Vitia nderon dr. Fadil Zukën, dy vite më parë e humbi betejën me COVID-19

Institucionet komunale të Vitisë dhe kolegët e profesionit e kanë nderuar dr. Fadil Zukën, i cili para dy vjetësh e humbi betejën me COVID-19, raporton Mediafokus.info.

Drejtoresha e QKMF-së atje, Dr. Vjoclla Kadolli, e ka vlerësuar lartë veprën e Dr. Fadilit.

“Veprat e tij, sjelljet, profesionalizmi, korrektësia me kolegë e pacientë, dashuria e veqantë për profesionin , humanizmi dhe atdhedashuria janë virtyte që do ta bëjnë të paharrueshëm për të gjithë ne”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Kadollit:

Sot u bën dy vite që kur u nda nga ne dr.Fadil Zuka.

Së bashku me kolegë, institucionet komunale dhe me familjarë të dr.Fadilit nderuam veprën dhe jetën e tij.

Dr. Fadili është mjeku i parë në Kosovë që ka humbur jetën nga COVID-19.

Është mjeku që çdo familje vitiase e ka njohur për humanizmin, zemërgjërësinë  dhe profesionalizmin.

Dr.Fadili ka punuar edhe në kohët më të vështira në shoqatën”Nënë Tereza”, ka ndihmuar dhe ka ofruar ndihmën mjekësore edhe në UÇK.

Veprat e tij, sjelljet, profesionalizmi, korrektësia me kolegë e pacientë, dashuria e veqantë për profesionin , humanizmi dhe atdhedashuria janë virtyte që do ta bëjnë të paharrueshëm për të gjithë ne.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

Me respekt,

Vjollca Kadolli-Halili

Drejtoreshë e QKMF-së në Viti