Vjen rezultati për të dyshuarën me koronavirus

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka treguar se pacientja e shtrirë në Klinikën Infektive, me dyshimet se mund të ishte e prekur nga koronavirusi, nuk është prekur nga sëmundja që origjinën e ka nga Kina.

Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.

Lajmin e ka bërë të ditur mjeku Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Ja noftimi i plotë i IKShP në faqen zyrtare në Facebook:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot rreth orës 17.00 ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK se një paciente me nënshtetësi britanike është referuar nga Qendra Emergjente e Gjilanit për në Klinikën Infektive. Pacientja është staf ndërkombëtar në Kosovë dhe e njëjta ka qëndruar në një qendër skijimi në Mont Blanc, Francë, para disa ditësh.

Pacientja është vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe në aspektin klinik ka pasur ethe të lehta dhe kollitje të lehtë.

Menjëherë është marrë mostra për analizë laboratorike dhe është sjellur për diagnostikë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në ora 19.00.

Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ për të tri analizat, domethënë pacientja nuk është e infektuar me novel coronavirus (2019 – nCoV) dhe me influenza A dhe B./MediaFokus/