Vjosa nuk lejon pirjen e duhanit brenda Kuvendit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin kundër duhanit, por deputetët nuk e respektojnë atë, duke dhënë shembull të keq për të tjerët. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka ftuar sot Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë që të shqiptojë gjoba për deputetët të cilët janë duke pirë duhan brenda ambienteve të Kuvendit.
“Po vërehet tymi që po vjen nga salla prapa, jeni duke e shkelur Ligjin për Duhanin. Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë do të monitorojë këtë shkelje dhe do të shqiptojë dënime të merituara. Deputetët janë të njoftuar për këtë”, tha ajo.
Më herët, kamerat kishin zënë deputetin e AAK-së Daut Haradinaj, duke tymosur në sallën afër asaj kryesore të Kuvendit. Për këtë kishte kërkuar falje pak çaste më vonë, duke thënë se këtë e bëjnë të gjithë deputetët.

