Vjosa Osmani: Me LDK-në ka përfunduar gjithçka
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në rast të zgjedhjeve, është shumë vonë që Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) të ketë mbështetjen e saj dhe se me këtë parti ajo ka përfunduar gjithçka.
“Natyrisht që po dhe përgjigja konkrete e kësaj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, u shpreh Osmani sot para mediave, përcjell Sinjali.
Kryeparlamentarja ka konfirmuar se mund të bashkëpunojë me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, por ka shtuar se kjo do të konkretizohet më vonë.
“Ne jemi në kontakt dhe diskutojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit, se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do të ju njoftojmë në momentin që do të konkretizohet”, u shpreh ajo.
Ndryshe, disa muaj më parë Vjosa Osmani është liruar nga detyra e saj udhëheqëse në LDK, pasi që, siç u tha nga kryesia e partisë, nuk kishte më qëndrim të njëjtë me ta.

