Votat nga Serbia, përmes postave tranzitore

Shtetasit e Republikës së Kosovës me të drejtë vote, dhe që jetojnë jashtë territorit të Kosovës, nga 13 janari e deri më 21 janar do të mund të aplikojnë përmes postës për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme parlametare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Kjo vlen edhe për shtetasit e Kosovës, të përkatësisë etnike serbe, të cilët jetojnë jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi, përmes një deklarate për Radion Evropa e Lirë ka sqaruar që të ashtuquajturat pako të votimit duhet të arrijnë në kutinë postare të KQZ-së deri më 12 shkurt.

Por, për qytetarët serbë që jetojnë në Serbi dhe që kanë të drejtë vote në Kosovë, mbetet sfidë fakti sesi do t’i dërgojnë aplikimet e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, si dhe dërgimi i votave të tyre.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, një numër i caktuar i votave që kishin ardhur nga Serbia në Kosovë, ishin shpallur të pavlefshme, sepse nuk ishin arritur përmes rrugës postare, ndërkaq që disa prej tyre kishin qenë edhe objekt i kontrollimit.

Posta e Kosovës dhe Posta e Serbisë nuk kanë ndonjë marrëveshje për qarkullimin e dërgesave.

Këtë e konfirmon ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se megjithatë, qytetarët serbë të Kosovës, që jetojnë në Serbi dhe që kanë të drejtën e votës në Kosovë, mund t’i dërgojnë votat e tyre, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe në zgedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, përmes tranzitit në Postën e Maqedonisë së Veriut. Më këtë të fundit, Posta e Kosovës ka marrëveshje, e cila është ende në fuqi.

“Meqenëse edhe Ligji i Republikës së Kosovës për zgjedhje siguron që votimi mund të bëhet përmes postës, qytetarët e Kosovës, që janë shtetas me të drejtë vote në Kosovë dhe që jetojnë në Republikën e Serbisë, mund të përdorin mënyrën e njëjtë sikurse që e kanë përdorur qytetarët në vitin 2019 dhe të votojnë në mënyrë të rregullt. Ne i kemi tranzitet në Postën e Maqedonisë së Veriut. Në qoftë se i dërgojnë edhe përmes Postës në Malin e Zi, ne e kemi marrëveshjen edhe me ta për trafikun ndërkombëtar dhe ato pastaj pranohen në mënyrë të rregullt”, ka thënë Smakiqi.

Megjithatë ai ka përkujtuar se në rast se votat nuk dërgohen në këtë mënyrë, atëherë ato, njëjtë sikurse në vitin 2019, do të konsiderohen jo të rregullta dhe të pavlefshme.

Ish-drejtori i Postës në Kosovë, e cila funksiononte sipas sistemit të Serbisë, Rangjel Nojkiq, po ashtu ka theksuar se fletëvotimet nga Serbia, nuk mund të arrijnë drejtpërdrejt në Postën e Kosovës, për shkak se bashkëpunimi ndërmjet postave të të dyja vendeve nuk ekziston.

“Ka qenë praktikë që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të merrte fletëvotimet dhe ato i dërgonte drejtërdrejt në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe jo në Postën e Kosovës e më pas në KQZ”, ka theksuar Nojkiq.

Megjithatë ai ka shprehur mendimin se procesi i tranferimit të votave të qyetarëve të Serbisë në Kosovë nuk është i kontestueshëm aq shumë sa është “ajo që ndodh brenda Postës së Serbisë, gjatë votimit”.

“Kjo është e diskutueshme, është problematike. Ky votim gjithmonë ka qenë i diskutueshëm dhe me pikëpyetje dhe mendoj që kushtet lidhur me këtë çështje nuk e kanë përmirësuar votimin transparent dhe as të rregullt”, ka vlerësuar Nojkiq./rel/