Vrasësit e Zyhrijes, Ramadanit, Xhemajlit…mbeten të pa dënuar
Kanë kaluar 23 vjet që kur forcat serbe vranë civilë shqiptarë në Gjilan, ndërsa kriminelët nuk janë ndëshkuar ende. Drejtësia për ta po vonohet tepër.
Që në ditën e parë të bombardimeve të NATO-së mbi caqet e ushtrisë serbe, formacionet paramilitare të Serbisë hynë nëpër fshatrat shqiptare dhe dëbuan popullatën e pambrojtur, për të vazhduar lojën e vdekjes me ata që kishin mbetur nëpër shtëpitë e tyre.
Sipas dëshmisë së Ukshin Ajdinit, më 28 mars 1999, në orën 22:00, ishte shkrepur një predhë ndriçuese për t’i sinjalizuar forcat serbe, të cilat ishin të stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për gjuajtje nëpër shtëpitë shqiptare në lagjen “Arbëria” dhe “Bregu i Djegur” në Gjilan.
Shumë qytetarë të lagjes janë dëshmitarë se si kanë dëgjuar komandën ushtarake “Nishani” (merr në shënjestër) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr).
Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës (vdiq më 23 mars 2022), ku është plagosur djali i tij, Isa. Për fat të mirë, në momentin e granatimit të shtëpisë, familjarët ndodheshin në oborr, sepse do të vriteshin të gjithë.
Sipas tij, në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva, 21-vjeçare (vajza në foto) dhe Fikrije Pireva (1981). Zyhrija ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit.
‘Granata e dytë është gjuajtur në shtëpinë time, e treta pranë shtëpisë së mixhës Ramë, ku ka pasur të plagosur.
Gjuajtja e katërt është bërë në oborrin e mixhës Ramë. Ramadan Salihu është vra në vend, pasi që një copë e granatës e ka rrokur në kokë dhe të gjitha trutë ia ka hedhur në tokë. Hajdin Murtezi është plagosur rëndë, bashkë me mixhën Ramë dhe shoqen e tij. Mixha Ramë dhe Hajdin Murtezi kanë vdekur nga plagët.
Granata e pestë është gjuajtur te shtëpia e Shabanit të Uglarit. Granata e gjashtë është gjuajtur në shtëpinë e Xhemajl Ymerit, i cili është vrarë në vend. Ka pasur edhe të plagosur tjerë, por nuk kanë guxuar të lajmëroheshin për shkak të policisë serbe’.
Ukshin Ajdinit, dëshmitar i këtyre ngjarjeve, i është plagosur vëllai Hajdini.
‘Ishte plagosur aq rëndë sa fytyra dhe sytë nuk i shiheshin. Mishi e lëkura i kishin rënë prej copave të granatës. Kishte shumë dhimbje. Ishte i djegur sikur ta nxjerrje prej zjarrit. Nuk kishim guxim ta dërgojmë në spital, sepse atje kishte ushtarë dhe policë serbë. Vdiq pas tre muajve’.
Edhe monitoruesit e OSBE-së, në librin ‘E parë dhe e dëgjuar’ kishin vënë në dukje faktin se Spitali i Gjilanit nuk i pranonte shqiptarët që kishin nevojë për trajtim.
Kjo dramë e përgjakshme kosovare mori fund më 11 qershor. Gjilani shpëtoi nga “nata e thikave të gjata”, që këtu, të gjithë besojnë se ishte lënë për fund.
Forcat serbe, në Gjilan vranë edhe më 12 qershor, derisa po tërhiqeshin. Ditën që në Gjilan, nga drejtimi i jugut, ishin futur ushtarët francezë të trupës paqerujatëse, në Dobërçan vritet hoxha Nysret Rexhepi./Mediafokus.info

