Vrasjen e rëndë në Gjilan e konfirmon edhe Prokuroria

Prokuroria Themelore në Gjilan e ka konfirmuar vrasjen e rëndë në Gjilan, që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se sot, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në Gjilan, ka ndodhur një vrasje e rëndë, motivet e të cilës ende nuk dihen.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nato 99”, në Gjilan, ku dyshohet se pas një aksidenti në komunikacion, i dyshuari V.H., me armë zjarri, ka shtënë në drejtim, të viktimës, tani të ndjerit L.S., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Pas rastit të ndodhur në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë, prokurori kujdestar, policia dhe ekipi mjekësor, i cili edhe e ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, për obduksion.

Me urdhër të prokurorisë, i dyshuari V.H., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprës penale “Vrasja e rëndë” dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit, nga Gjykata kompetente në Gjilan, thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim Publik në të Prokurorisë Themelore në Gjilan.