Vritet një vajzë e re pse nuk u mbulua

Afganistani nuk po gjen qetësi pas tërheqjes së trupave amerikane dhe marrjes së pushtetit nga talebanët. Në dy qytete të vendit, protestues të shumtë kanë dalë nëpër rrugë e kanë ngritur flamurin qeveritar ndërsa talebanët i janë përgjigje me breshëri plumbash.

Tubues të shumtë dolën nëpër rrugë dhe në qytetet Xhalalabad dhe Khost; shumë prej tyre ishin studente që nuk pranojnë t`i binden talebanëve e kanë hequr emblemën e grupit ekstremist nga sheshet qendrore duke e zëvëndesuar me flamurin kombëtar.

Pamjet filmike në rrjetet sociale treguan sesi grupe talebanësh hapën zjarr ndaj turmës së njerëzve, e shkaktuan sipas Al Xhazirës të paktën 2 të vdekur e 12 të plagosur.

Vizioni paqësor që talebanët u përpoqën të tregonin gjatë konferencës së tyre për shtyp, duket se po davaritet më shpejt nga sa pritej. Fox News thotë se raprezalja ndaj grave ka nisur; një vajzë e re sipas rrjetit televiziv është ekzekutuar në mes të rrugës në Taloqan vetëm sepse refuzoi të mbante burka.

Frontin e “moderuar” afgan e tradhëtojnë edhe raportet mbi një grup të ashtëquajtur “Engjëjt e Shpëtimit” të cilët po shkojnë derë më derë duke tërhequr zvarrë kundërshtarët politikë ndërsa pamjet filmike nga ndëshkimi publik i një hajduti makinash, kanë bërë xhiron e rrjetit.