Vuçiq: Nuk ka Asociacion derisa Kurti të jetë në pushtet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Paris për Forumin dyditor të Paqes, tha se nuk ka pasur nisma për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili gjithashtu po qëndron në kryeqytetin francez

Vuçiq, duke folur para gazetarëve, tha se “nuk e di për çfarë do të flisnim”.

“Ai zgjodhi se me cilët përfaqësues të Bosnjës dhe Hercegovinës do të takohej, kështu që pyes veten se çfarë parimesh hipokrite janë këto për respektimin e integritetit territorial”, tha ai.

Siç transmeton “Danas”, Vuçiq tha se për të gjithë në Perëndim është e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin.

“Mendoj se e kanë të qartë të gjithëve se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin, nuk dëshiron përparim në dialog, dhe se gjithçka tjetër ishte marifete ballkanike që funksionuan për një ose dy ditë. Për ne është e rëndësishme të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë, të ruajmë paqen, por nuk besoj se Asociacioni do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.