Vuçiq paralajmëron ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është drejtuar serbëve të mërkurën mbrëma, për herë të dytë qëkur nisi lufta në Ukrainë.

Ai e ka quajtur situatë tejet të vështirë për të dhe Serbinë, ndërkohë që ka thënë se ky është vetëm fillimi i presionit mbi Serbinë për t’u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë, që ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Vuçiqi ka paralajmëruar edhe “kurthe” për Serbinë, teksa ka folur për Kosovën.

“Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët (Kosova v.j.) aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një forcë si Turqia”, tha Vuçiqi, përcjell “b92” të mërkurën.

Ai pret që një prej iniciativave të ardhshme të jetë përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e më këtë sipas tij, do të hapej rruga për pranim të pavarësisë së Kosovës nga kjo organizatë.

“Ata planifikojnë ta bëjnë këtë në bazë të nenit 6. Pastaj të hapin dyert për ndryshimin e Rezolutës 1244, me çka nuk kemi më bazë ligjore dhe do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës (nga OKB-ja v.j.)”, tha ai.