VV zyrtarizon kandidaturën e Boiken Abazit në zgjedhjet e Shqipërisë

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë nënshkrimet e nevojshme për ta kandiduar Boiken Abazin në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Boiken Abazi do të kandidohet për deputet në qarkun e Tiranës, derisa LVV synon që të merr mbështetje edhe për dy kandidatë tjerë.

LVV thotë se do të angazhohen për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme në Lezhë, në mbështetje të Iliaz Shehut, dhe në Gjirokastër në mbështetje të Kreshnik Merxhanit.

Dorëzohen 3765 nënshkrime në mbështetje të kandidatit Boiken Abazi

Sot, 10 ditë para afatit, një dërgatë prej dhjetë vetash, anëtarë të komitetit nismëtar, përfaqësues e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Shqipëria e Kosova dorëzuan në KQZ dosjet me nënshkrimet mbështetëse të 3765 qytetarëve të qarkut Tiranë për zyrtarizmin e kandidaturës së Boiken Abazit si kandidat nga zgjedhësit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Mbështetja kaq e madhe prej qytetarëve nga bashkitë e qarkut Tiranë (Tirana, Kamza, Vora, Kavaja e Rrogozhina) nga shumë lagje e fshatra, na jep zemër për fushatën që na pret. Me idealet më të sinqerta për kombin e shoqërinë tonë, për drejtësi e zhvillim ekonomik, do të vazhdojmë aktivitete gjithnjë e më intensive. Falënderojmë nga zemra gratë e burrat që na kanë dhënë mbështetjen për kandidimin e z. Boiken Abazit, e në ditët në vijim do të angazhohemi me gjithë mundësitë që kemi për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme në Lezhë, në mbështetje të Iliaz Shehut, dhe në Gjirokastër në mbështetje të Kreshnik Merxhanit”, thuhet në njoftimin e LVV-së, Qendra në Shqipëri.

Kujtojmë sistemi zgjedhor në Shqipëri është i organizar në 12 qarqe me lista të mbyllura. Nga secili qark zgjedhën numër të caktuar deputetësh, varësisht nga numri i popullsisë.