Xhaferi flet për raportin me Kurtin: Marrëdhënia me qytetarët e Kosovës s’bazohet mbi ato personale
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se në marrëdhëniet institucionale nuk do të ketë pengesa mes Kosovës dhe shtetit që ai drejton.
Ai këtë deklaratë e dha kur u pyet për raportin e tij me kryeministrin Albin Kurti pas vendimit të këtij të fundit që ta mbështesë opozitën e Xhaferit.
“Vendimi politik është çështje e tij dhe nuk më takon mua ta komentoj si veprim. Por, në marrëdhëniet institucionale nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa në komunikimin institucional. Ne përfaqësojmë qytetarët dhe institucionet e shteteve përkatëse dhe në atë kuptim raporti im me qytetarët e Kosovës nuk duhet të bazohet mbi atë raportin personal apo politik të subjektit politik që i takoj me subjektin politik që e përfaqëson kryeministri në Kosovë. Kështu që nuk ka dallim dhe nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa nga ana ime, sepse unë s’i shoh punët në atë kuptim, i shoh punët pak më shumë sesa që janë veprimet e subjekteve politike. Zatën, përmes rrjeteve sociale më kanë uruar të gjithë bartësit e institucioneve në Kosovë, Shqipëri e përreth”, tha Xhaferi në një intervistë në Euronews Albania.
Pasi Xhaferi mori postin e kryeministrit, Kurti e uroi atë përmes Facebook-ut, duke përmendur se është në krye të qeverisë teknike.


 
 
						 
						