Xhaxhai nga Amerika e qanë mbesën e tij që u aksidentua për vdekje në Zvicër
Vdekja e 28-vjeçares shqiptare nga Kamenica, Fjoralba Kallaba, e cila u aksidentua për vdekje në Cyrih, ka prekur pa masë zemrat e familjarëve.
Xhaxhai i saj, profesori Izet Kallaba, nga Amerika, ka bërë një dedikim jashtëzakonisht emocional për mbesën e tij.
‘FjorAlba e Axhës, ike bashkë me Pranverat e mërgimit, kur përmallshëm prisnim takimin e gëzimit, për të derdhur mallin në Atdheun e përvuajtur, por mikpritës nëpër stinë e mote, për të kënduar zëshëm këngë në gjirin familjar, me valle të përbashkët nën vellon e bardhë.
Por Zoti të paska dashur më shumë se Ne. E paska dashur një Lule Arbërie që i mungonte në parajsë. Engjëllushën e Axhës që kahmoti nuk e kisha parë me atë buzëqeshje Nuri, me shpirt biluri.
Sot kur more rrugën më të gjatë, atë të amëshimit, fjala lamtumirë na mbeti në fyt, sepse nuk e dashtëm kurrë. Ikjen tënde askush nuk e kishte pritur e mira e Fisit, Engjëllusha e Axhës me pastërti e shpirt biluri që na le në vaj e dhembje të stepur si Guri’, ka shkruar Kallaba nga Nju Jorku.
Profesori Izet Kallaba jeton në SHBA, ku i është bashkuar Federatës Panshqiptare ‘Vatra’.
Kallaba është autor i librit “Tingujt e Artë” dhe është ofruar në Vatra që të zhvillojë kurse muzike dhe aktivitete kulturore për të gjithë fëmijët e vatranëve dhe patriotëve shqiptarë që jetojnë në New York dhe më gjërë./Mediafokus.info

