Xhevat Latifi zgjedhet kryetar i Komisionit të Pavarur për Media

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot ka zhvilluar mbledhjen e parë në përbërje të re, pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të këtij organi vendimmarrës nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje anëtarët e Komisionit kanë votuar për zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të Komisionit të KPM-së.

Pas procesit të votimit, Kryetar i Komisionit të KPM-së u zgjodh z. Xhevat Latifi, ndërsa nënkryetar u zgjodh Granit Musliu. Mandatet e tyre janë dyvjeçare, sipas Ligjit për KPM-në.

Xhevat Latifi ka lindur në Gjilan më 1968. Është Magjistër i sociologjisë. Për shumë vite ka punuar në media të Kosovës, në projekte të  shoqërisë civile dhe aktivitete të ndryshme të diplomacisë publike si bashkëpunëtor me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Është anëtar i Albanian PEN Center.

Është autor i dy librave me poezi dhe fitues i disa çmimeve letrare.