Xhevat Nevzadi ishte njeri i sakrificës, i fjalës dhe i parimeve
Xhevat Nevzadi ishte ndër kuadrot e para të lëndës së kimisë në Gjilan. Ai ndërroi jetë para pesë vitesh, më 28 shkurt 2020.
Xhevati mbahet mend si një profesionist i mirë, punëtor e veprimtar dhe njeri i fjalës e i parimeve.
Përveç si mësimdhënës, ai dha kontribut edhe në çështjen kombëtare e humanitare.
Në kohët më të vështira për Kosovën, (1998/1999), Xhevati, si veprimtar i Shoqatës “Nëna Terezë” u kujdes për nevojtarët, që asokohe ishin të shumtë, pasi që pushteti serb i kishte përjashtuar të gjithë shqiptarët nga puna.
Xhevati i sfidonte vazhdimisht rreziqet, kur ishte në pyetje interesi kombëtar.
Kështu veproi edhe në rastin kur mori rrugën për në Prekazin e ndezur nga lufta, për të dërguar ndihma.
Gjatë rrugës për atje, ai ndalohet dhe maltretohet e më pastaj burgoset.
Xhevati la pas vete shembuj të pamohueshëm të sakrificës për lirinë e vendit dhe pavarësinë e tij nga Serbia. /Mediafokus.info

