Ymer Halimi, një jetë në shërbim të shkollës dhe të popullit

Para 15 vitesh, pikërisht më 23 mars, në Gjilan vdiq dhe u varros veterani i arsimit dhe veprimtari i shquar, Ymer Halimi (Hoxha).

Ymer Halimi lindi në një familje atdhetare, patriotike e arsimdashëse, familje e cila i dha Gjilanit dhe Kosovës shumë figura eminente, patriotike, politike e arsimore, shkruan Mediafokus.info

Biografia jetësore e Ymer Halimit, si nxënës, student, si veprimtar arsimor e politik, është fotografia më autentike e një burri të madh që pati Gjilani dhe Anamorava.

Si veprimtar arsimor, tërë dijen e tij Ymeri e barti ndër breza, ndërsa si veprimtar politik shquhej me një besnikëri të rrallë dhe me një guxim të pashoq për të sfiduar të keqen dhe të padrejtën dhe për të qenë pjesë e pandashme e procesit politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ymeri ishte një figurë emblematike, shumëdimensionale, me të cilën Gjilani duhet të ndihet krenar.

Ymer Halimi është pinjoll i familjes së gjerë Halimi (Hoxha) e cila plotë një shekull ishte në konflikt me regjimet antishqiptare.

Kjo familje dha figura të ndritshme patriotike dhe veprimtar të denjë të çështjes kombëtare.

Rrugën e vështirë, me plot gjemba dhe sakrifica, por të ndershme e burrërore e ndoqi me guxim dhe vendosmëri edhe Ymer Halimi, deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Ymer Halimi e deshi arsimin dhe punoi me përkushtim në edukimin e shumë brezave, që sot gjenden në shërbim të kulturës e shkencës shqiptare dhe flasin me respekt dhe admirim të veçantë për arsimuesin e tyre shembullor.

Ymeri ishte një atdhetar i devotshëm e liridashës i flakët, virtyte këto të cilat i mësoi nga vatra atdhetare e familjes së gjerë Hoxha, ku kalitej trimëria burrëria, ku kultivohej tradita e mikpritjes dhe bujaria, ku predikohej dashuria, gatishmëria e sakrifica për çlirim kombëtar.

Ymer Halimi e dha kontributin e vet patriotik duke vepruar me guxim në zgjimin e ndjenjës e të vetëdijes kombëtare, që nga demonstratat e vitit 1968, 1981 e këndej, për çka u dënua me 18 muaj burg të rëndë.

Ai kurrë nuk u thye moralisht, përkundrazi gjithmonë mbolli optimizmin, shpresën dhe besimin për liri dhe pavarësi./Mediafokus.info