Ymer Halimi – profesori që na mësoi se kufijtë nuk ndajnë zemrat

Dr Elez Elezi

Figura e prof. Ymer Halimit mbetet e paharruar për shumë ish-nxënës. Ai nuk ishte vetëm ligjërues i gjeografisë, por një udhërrëfyes i mendjes dhe shpirtit.

Mësimet e tij shpesh shkonin përtej librave, duke na dhënë guxim dhe dashuri për atdheun.

Nga vitet ’70 kujtohen episode që e shpalosin karakterin e tij. Një nxënës i shkëlqyer shprehu dëshirën të studionte shkenca politike në Beograd.

Profesori, me sinqeritet, iu përgjigj: “Politika është kurvë… për ty janë më mirë profesione që i duhen vendit, si mjekësia apo inxhinieria.”

Ishte fjala e tij e drejtë, por e guximshme për kohën, që më pas iu kthye në telashe e “biseda informative”.

Një tjetër moment i paharruar: kur një nxënës hoqi vijën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë në hartë, profesori kur e vërejti vetëm buzëqeshi.

Nuk tha asgjë, por ajo buzëqeshje ishte një mesazh i qartë – se kufijtë politikë mund të vizatohen në letër, por zemrat nuk ndahen kurrë.

Kështu ishte prof. Ymeri: i drejtë, i guximshëm, i përkushtuar ndaj nxënësve dhe ndaj kombit.

Bashkë me Meriman Brahen, lanë gjurmë të thella tek brezat. Na dhanë dije, por mbi të gjitha na mbollën dashurinë për atdheun.

Kujtimi për prof. Ymer Halimin është një kujtesë e gjallë se mësuesit e vërtetë nuk formojnë vetëm mendje, por edhe zemra.

Ai mbetet shembull i integritetit dhe i misionit kombëtar, një figurë që i dha kuptim fjalës “pedagog” në kohë të vështira.