Zadja mbeti…mes dhimbjes dhe lirisë
Sabedin Sherifi
(Poezi kushtuar vajzës së Tahir Mehës)
Zadja
Në natën e errët me zjarr e britma,
kur plumbi kafshonte murin e shtëpisë,
u fikën yjet në sytë e një fëmije,
Zadja mbeti… mes dhimbjes dhe lirisë.
Ra babai – legjendë e atdheut,
ra gjyshi – shtyllë e fisit të lashtë,
e ajo, një zog me krahë të thyer,
u tret në kohë, në heshtje, në natë.
S’e qau fëmijërinë me lodra e pranverë,
por me britma e lot që s’u thanë kurrë,
me një shpirt që endet nëpër kujtime,
me një zemër që rreh nën plagë të shumtë.
Sot, Zadja nuk flet me zë të lartë,
por zëri i saj është kushtrim që zgjat.
Në sytë e saj – Kosova e djegur,
në zemrën e saj – flamuri i larë në gjak.
Mos e quani të thyer, ajo është gur,
i përjetshëm në themelet tona.
Martire për së gjalli, dëshmi që s’vdes,
bijë e Tahirit – bijë e Dardanës.

