Demir Krasnsiqi do të jetë përgjithmonë emër i veçantë i muzikës shqipe
Demir Krasniqi rrjedh prej një familje intelektuale, e cila i ka shërbyer kohës me veprat dhe jehonën e tyre intelektuale e patriotike.
Demiri, fillet e para të muzikës i mori nga mësuesi Rexhep Bunjaku, si nxënës i fillores. Qysh herët, ai zuri vendin e parë në garat e manifestimit rajonal “Mikrofoni është i Juaji”.
U angazhua me vite të tëra si profesor i muzikës, duke lënë gjurmë nëpër shumë shkolla. Po ashtu, ishte një këngëtar e tekstshkrues shumë i mirë i këngëve të ndryshme muzikore, të cilat bënë jehonë të përhershme në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.
Demir Krasniqi ka një opus prej mbi 1500 këngësh e vallesh origjinale, të kompozuara nga vetë ai. Po ashtu, ka grumbulluar mbi 4.000 këngë të ndryshme, nga folklori muzikor.
Ai është marrë edhe me gazetari, ku ka dhënë kontribut të çmuar në avansimin e informimit.
Disa nga veprat e tij janë: Mallëngjima e Ushtima, Prishtinë, 1993, Qamili i vogël – zë që nuk shuhet (monografi), Prishtinë, 1995, Gjakon Kosova, Gjilan 1998, Bejtë Pireva, Gjilan 2002, Zeqir Maroca, Gjilan 2002, Këngë krismash lirie I, Gjilan, 2003, Këngë krismash lirie II, Prishtinë, 2003, Familja Kurti nga Tygjeci (monografi), Prishtinë 2004, Shtojzovallet e Gollakut, ETMM i Kosovës, Prishtinë, 2005, Kushtrim lirie, SH.B. “Kurora”, Gjilan 2005, Liman Shahiqi-trimi i Gollakut, Prishtinë, 2005, Kroi i këngës-Gjilan, 2006, Qamili i Vogël: Këngë përjetësie (mblodhi, redaktoi dhe deshifroi me nota Demir Krasniqi), nëntor 2006, Krenaria e Gollakut (me rastin e 40-vjetorit të karrierës dhe krijimtarisë muzikore) – Gjilan, 2008, Diell Lirie, Gjilan, 2008 etj.
Familjen e tij e ka vizituar këto ditë nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili është shprehur i impresionuar me punën krijuese të Demir Krasniqit.
“Demir Krasniqi i dhuroi vendit qindra e mijëra këngë burimore shqiptare, i dhuroi vendit libra të karakterit pedagogjik. Ai e shkriu tërë potencialin e tij në zhvillimin e shoqërisë dhe mbajtjen gjallë të muzikës shqipe.
Doajeni i muzikës shqipe, Demir Krasniqi, do të jetë përgjithmonë emër i veçantë në zemrën e çdo shqiptari. Ai do të jetë frymëzimi më i madh i atyre që krijojnë vepra të pastra, të cilat do të bëjnë jehonë ndër shekuj. Demir Krasniqit i kemi borxh gjatë gjithë jetës”, ka shkruar Ismajli.
/mediafokus.info