Zbulohet “thembra e Akilit” e qelizave kancerogjene

Është identifikuar thembra e akilit e qelizave kancerogjene. Bëhet fjalë për një modifikim gjenetik që pësojnë qelizat kancerogjene, i quajtur aneuploidy, i cili mund të përdoret si një objektiv për të shënjestruar tumorin përmes disa molekulave.

Zbulimi, i botuar në revistën Nature, është nga grui ndërkombëtar kërkimor i koordinuar nga Universiteti i Tel Avivit, në të cilin morën pjesë edhe Instituti Evropian i Onkologjisë dhe Universiteti Shtetëror i Milanos.

Aneuploidia është një ndryshim në numrin e çifteve të kromozomeve. Të gjitha qelizat njerëzore kanë 46 kromozome, ndërsa qelizat kanceroze shpesh kanë më shumë ose më pak. Megjithatë, deri më tani, kjo shenjë dalluese e kancerit nuk ishte përdorur kurrë si një objektiv për trajtim, sepse kishte mungesë të mjeteve për të krijuar modele in vitro të qelizave aneuploide.

“Ne kemi treguar se aneuploidia, e cila gjendet në 90% të tumoreve të ngurta dhe në 75% të atyre hematologjike, mund të jetë një objektiv në vetvete. Jo vetëm kaq. Ne kemi gjetur molekula, të ashtuquajtura Sac (spindle assembly checkpoint), të afta të ndërhyjnë në aneuploidinë dhe ta shfrytëzojë atë për të synuar dhe goditur qelizat kancerogjene”, shpjegon Stefano Santaguida, një nga studiuesit.

Studiuesit kanë krijuar “librari të linjave qelizore aneuploide dhe treguan një varësi të lartë të qelizave aneuploide në gjenet e përfshira në funksionimin korrekt të Sac, makinerisë qelizore përgjegjëse për ndarjen e qelizave, përmes së cilës secila qelizë gjeneron dy qeliza bijë. Duke frenuar Sac, qelizat aneuploide vdesin. Hapet mundësia e përdorimit të këtyre frenuesve si terapi antikancerogjene” , shpjegon Marica Ippolito, nga grupi kërkimor.

Studiuesit po përpiqen gjithashtu të kuptojnë nëse aneuploidia ka të bëjë me zhvillimin e rezistencës ndaj kimioterapisë.