Zemaj: Kemi siguruar 500 mijë vaksina antiCOVID nga Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka njoftuar se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina antiCOVID nga kompania Pfizer, shkruan Mediafokus.info.

Zemaj ka thënë se konfirmimi për sigurimin e këtyre vaksinave ka ardhur nga përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual.

Ai ka bërë të ditur se përveç këtyre dozave, Kosova do të sigurojë edhe 360 mijë vaksina të tjera nga Covax.

Ministri ka shtuar se vaksinimi kundër COVID-19 do të jetë falas për qytetarët.

Postimi i plotë:

Kosova siguron 500 000 vaksina anti COVID nga Pfizer.

Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500 000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer.

Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta.

Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19.

Krahas kësaj, Kosova do të marr nga mekanizimi Covax edhe 360 000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës.

Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së.

Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë.