‘Zemërimi’ i natyrës, fajin e ka njeriu

Mustafë Bajrami

(Interaktiviteti Zot-Njeri, Njeri-Zot është i padiskutueshëm. Edhe në rastin e sëmundjeve pra, edhe në rastin e tragjedive që ndodhin në natyrë…!)

I sulmuan hoxhallarët pse thanë se koronavirusi është një formë e ndërhyrjes së Zotit për shkak të sjelljeve dhe veprave të njeriut. I sulmojnë edhe më tutje pse thonë se tragjeditë si vërshimet, zjarret, shembjet e kodrave e të ngjashme, janë ndërhyrje e Zotit për shkak të sjelljeve dhe veprave të njeriut.

I sulmojnë hoxhallarët gjithashtu pse japin sqarime dhe mendime në lidhje me fenomene tjera që ndodhin herëpashere në natyrë!

Përse e bëjnë këtë?! Përse janë kaq të ndjeshëm teksa përmendet Zoti, feja, teologu dhe shpjegimi fetar? Ç’të keqe ka këtu e ku shohin gabime në fjalët e teologëve e hoxhallarëve në lidhje me botën që na rrethon?

Po a nuk e thonë të njëjtën edhe shkencëtarët, anipse me shprehje, terminologji e emërtime ndryshe? A nuk po dëgjojmë përditë në lajme se veprimet e njeriut po shkaktojnë ndryshimet klimatike, si rrjedhojë pastaj po shfaqet “zemërimi” i natyrës?

Fabrikat që i ka ndërtuar njeriu, tymi i tyre, helmet e prodhuara, prerja e shkatërrimi i pyjeve, po shkaktojnë ndryshime rapide në tokë e në atmosferë? Pastaj, a nuk është e vërtetë, sa Zoti që është Një, se shfrenimet enorme të epshit, përdorimi i alkoolit e drognave të ndryshme, shkaktojnë sëmundje të rrezikshme nga të cilat pastaj lëngojnë vetë njerëzit?

Atëherë, si? Pse të sulmohet gjuha e fesë e të pranohet si e qëndrueshme gjuha e shkencëtarit, kur që të dyja kanë të njëjtën domethënie, por ndryshojnë vetëm në të shprehur? Sulmet bëhen për shkak se përmendet Zoti, apo pse ndoshta besojnë se njeriu nuk është shkaktari kryesor i këtyre tragjedive?!

Me shumë bindje konstatoj: Lidhja reciproke midis fenomeneve dhe entiteteve në natyrë, rrjedhimisht midis veprave të njeriut dhe botës që e rrethon, është aq e fortë, sa ato zhvillojnë interaktivitet mes vete bash sikur raporti reciprok dhe i pandashëm midis trupit, hapësirës dhe lëvizjes. Kur’ani këtë e thotë shumë qartë. Mbase e quan “Sunnetullah”, natyrshmëria e Zotit në natyrë. Ligji i Zotit në natyrë.

Ligjet e padukshme në natyrë ndikojnë drejtëpërdrejtë në entitete për të cilat janë dedikuar. Ato ligje janë të krijuara nga Zoti. Bri kësaj, ndërhyrja e Zotit në natyrë vjen (edhe) si rezultat i veprave të njeriut. Dmth, sjelljet e njeriut shumë herë determinojnë “kaderin” e tij.

Mjafton të shpjegohen mirë këto gjëra dhe të pëdoret terminologjia adekuate teksa flasim për këto fenomene. Përndryshe, interaktiviteti Zot-Njeri, Njeri-Zot është i padiskutueshëm. Edhe në rastin e sëmundjeve pra, edhe në rastin e tragjedive që ndodhin në natyrë…!