Zgjedhjet lokale, ky është numri i qytetarëve jashtë vendit që aplikuan për regjistrim

10 mijë e 638 persona kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Express se afati për aplikim përfundon sot, më 18 gusht.

“Sipas të dhënave nga shërbimi votues, janë pranuar 10 mijë e 638 aplikime për regjistrim si votues jashtë Kosovës. Afati për këtë periudhë përfundon më 18 gusht. Pas përfundimit të kësaj periudhe do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues se sa nga këta aplikues janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sa jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka deklaruar Elezi.

Elezi tha se aplikuesit që i kanë plotësuar kriteret ligjore, janë njoftuar se duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votim jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën e votuesve jashtë Kosovës.

“Të gjithë aplikuesit të cilët kanë plotësuar kriteret ligjore, janë njoftuar se duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi Elezi.

Ai tha se fletëvitimet nga jashtë, duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor.

“Të gjithë aplikuesit që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në një fazë të mëvonshme e cila fillon më 15 shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor”, ka deklaruar Elezi.