Zgjedhjet në SHBA, ‘përcaktuese’ për vazhdimin e dialogut

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar sërish, pasi palët nuk po pajtohen për temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Takimi i fundit në nivel liderësh në Bruksel është mbajtur më 7 shtator, 3 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit. E fakti se kush do të jetë në udhëheqje të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, po shihet si përcaktues edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Engjellushe Morina, eksperte në organizatën Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme (ECFR), me seli në Berlin, vlerëson se dialogu nuk do të vazhdojë deri në qartësimin e asaj se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Nuk besoj se do të ketë lëvizje në këtë proces, deri diku kah mesi i nëntorit më së hershmi”, tha Morina për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA dhe ky rezultat do ta ketë rolin e vet në dinamikën e procesit dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi së fundmi SHBA-ja ndërmori edhe një iniciativë për normalizimin e marrëdhënieve prej këndit ekonomik”, shtoi ajo.

Në Prishtinë ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nuk pret që rifillimi i dialogut të varet tërësisht nga zgjedhjet në SHBA. Sidoqoftë, ajo e sheh të pashmangshëm koordinimin e plotë SHBA-BE për arritjen e marrëveshjes finale.