‘Zoti i dënoftë se drejtësia po vonon’

Familjarët e të pagjeturve të luftës së Kosovës, kanë malkuar sot përgjegjësit për zhdukjen e më të dashurve të tyre me fjalët ‘Zoti i dënoftë se drejtësia po vonon’. gjatë një manifestimi në sheshin e Prishtinës, në ditën e veteranit.

Drejtësi u kërkua dhe për foshnjet që u vranë dhe u masakruan në djep.

Bajram Çerkini, kryetar i shoqatës “Zëri i prindërve”, u shpreh: “Sfida numër një, nuk është zbardhur fati i personave të pagjetur, ajo çfarë është premtuar. Krejt viti na ka mbetur duke vajtur e duke kërkuar çfarë? Duke i dëgjuar plagët të cilat i kemi të pashërueshme. Por, na ka ndodhur edhe një gjë që e ka përfshirë gjithë Europën, një sëmundje që na i ka marrë vetëm ne shoqatës “Zëri i Prindërve” 8 persona. Pa e ditur për më të afërmit e tij apo fëmijët e tij se ku ndodhen, asnjë shenjë nuk ka që mund ta dijë ku është marrë prej forcave serbe apo kriminelëve serbë, të cilët e kanë bërë krimin edhe në këto bebe që nuk e dimë ende ku janë”.

Andin Hoti, kryesues i komisionit të personave të zhdukur, tha: “Zoti i dënoftë ata që na i kanë bërë tërë këto. Të njëjtën vuajtje që e keni ju, e kemi dhe ne. Të njëjtën vuajtje që e kanë secili familjar këtu e kanë dhe 1617 familjarë të tjerë dhe ende sot pas 22 viteve vuajtje, çështja e personave të zhdukur vijon të mbetet e politizuar dhe vazhdon të bëhet krim i dyfishtë dhe trefishtë duke mos treguar se ku janë, nëse jo gjallë, eshtrat e tyre”.