‘Zoti i vraftë këta tanët’, mallkojnë familjet që po dëbohen nga Kulla e Zhlebit

Politikani nga Kosova, ish-kryetar i Komunës së Pejës, Ali Lajçi, ka ngritur së fundmi një problem në lidhje me largimin e shqiptarëve të Kosovës në kufi me Malin e Zi.

Forcat malazeze kanë filluar t’i dëbojnë shqiptarët nga Kulla e Zhlebit, ka thënë ai, duke publikuar edhe disa foto.

Në shkrimin e tij, Lajçi thekson se ky dëbim po bëhet në mënyrë graduale e të heshtur.

Shkrimi i plotë:

Pasojat e votimit të versionit të gabuar kufitar me Malin e Zi! Ky version i gabuar, të cilin e votuan deputetët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike, ku humbën mijëra hektarë tokë po sjellë pasojat e veta.

Kësisoj ka filluar dëbimi i banorëve të fshatit Llukë, nga forcat Malazeze, fshat i komunës së Deçanit që bjeshkën e kanë afër Kullës së Zhlebit dhe që tatimet i kanë paguar gjithmonë në Komunën e Pejës. (Shih fotografitë e bashkangjitura).

Ky dëbim po bëhet në mënyrë graduale e të heshtur, një nga një, në mënyrë shumë përfide, për pastrimin në baza etnike të asaj zone.

Banori dëshmitar Rasim Mulaj, nga fshati Llukë informon se 5 (pesë) familje deri më tash janë dëbuar. Rasimi më pyet se kur do të korrigjohet kjo vijë kufitare?

“Zoti i vraft këta tanët jarabi” – kështu i mallkojnë banorët ata që e votuan! “Ftoj mediat dhe akterët tjerë që të përcjellin nga afër këtë situatë.