Zvicra nuk autorizon vaksinën anti-COVID-19 AstraZeneca

Zvicra nuk e autorizon vaksinën AstraZeneca me pretendimin se duhen më shumë studime.

Autoriteti zviceran që rregullon përdorimin e barnave Swissmedic, në fakt nuk ka pranuar të japë “OK” për AZD1222, duke specifikuar se “të dhënat e disponueshme dhe të analizuara deri më tani nuk janë ende të mjaftueshme për të vazhduar me një autorizim”.

Sipas Swissmedic, “të dhëna të mëtejshme nga studime të reja janë të nevojshme për të marrë informacion mbi sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e saj”.

Ndërkohë, vaksina AstraZeneca, e cila mbërrin të hënën në Itali, do të merret vetëm nga personat nën 55 vjeç, përfshirë mësuesit, forcat ushtarake dhe policore, të burgosurit dhe personelin e burgut.

Vaksinat Pfizer dhe Moderna do të injektohen tek personat mbi 80 vjeç dhe kategoritë më të prekshme.

Ndërkaq mësohet se Italia pas Gjermanisë i hap rrugën përdorimit të terapive anti-Covid me antitrupa monoklonalë. Dritën jeshile e dha Agjencia Italiane e Barnave,por me disa kushte dhe për një kategori të kufizuar të pacientëve./bw/