Zvicra përfshihet nga moti i keq, mbyllet përkohësisht autostrada A2

Zvicra është përfshirë nga një mot i keq në orët e mbrëmjes, për çka është dashur të mbyllet përkohësisht edhe autostrada A2, shkaku i shembjeve të dheut, raporton srf.ch.

Shkaktare të rrëzimeve të shkëmbinjve dhe rrëshqitjeve të tokës janë shtrëngatat e forta me shi të madh që kanë prekur këto regjione.

Në Bellinzona, Luginën Maggia dhe luginat e tjera të Ticinos, kishte gjithashtu dëmtime dhe pengesa të përkohshme në trafik për shkak të breshërit, shiut të fortë dhe stuhive, njofton policia e kantonit.

Stuhitë në veriperëndim të Ticinos kanë nisur të mërkurën në mbrëmje. Fillimisht, u prekën Lugina Maggia, Lugina Onsernone, Centovalli dhe, pjesërisht, edhe Leventina, përcjell albinfo.ch. Deri të enjten në mbrëmje në këto zona për 24 orë, kanë rënë mbi 80 milimetra shi. Në Faido është regjistruar madje mbi 130 milimetra, raporton SRF Meteo.