Zyhrija u vra kur e kishte kohën më të mirë për të jetuar

Kaluan mbi njëzet vjet që kur forcat serbe vranë civilë shqiptarë në Gjilan, ndërsa vrasësit nuk janë dënuar ende.

Ukshin Ajdini është dëshmitar i vrasjes dhe plagosjes së civilëve të pafajshëm, nga granatimet në lagjen “Arbëria”, sipas tij, nën urdhrat e Vitomir Iliqit.

Edhe qytetarë tjerë të lagjes janë dëshmitarë se si kishin dëgjuar komandën ushtarake “Nishani” (merr në shënjestër) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr).

Nga ky granatim janë vrarë dhe plagosur Ramadan Salihu, Xhemajl Ymeri, Hajdin Murtezi, Ramadan Azemi, Zyhrije Pireva, Fikrije Pireva, Isa Zeka.

Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës. Nga ku sulm është plagosur Isa Zeka, djali i Shaipit.

Në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (1978) dhe Fikrije Pireva (1981).

Zyhrija ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit.

Ukshini ka dhënë dëshmi menjëherë pas luftës, për të gjitha këto vrasje, por drejtësia nuk e ka kryer punën e saj akoma.

Në rikujtim të atyre ditëve të tmerrit, Izmi Zeka ka shkruar sot se Zyhrije Pireva u vra pikërisht kur ajo kishte kohën më të mirë për të jetuar.

Nga granatat e hedhura në shtëpinë tonë, plagoset rëndë studentja dhe fqinja jonë, bashkë edhe me kushërirën e saj.

Në gjendjen e rëndë të luftes dhe pa përkujdesjen e duhur shëndetësore, Zyhrija ndërron jetë në spitalin e Gjilanit.

Ishte në moshë të re kishte filluar të marr dije në Shkollën e Lartë në Gjilan, por të pamëshirshmit ia ndërprenë jetën, ka shkruar Zeka./mediafokus.info