Zyra e kryetarit të Vitisë i reagon këshilltares komunale Liridona Bislimi

Këshilltarja Komunale nga Vetëvendosje, Liridona Bislimi ka kritikuar anën humanitare të Kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti. Zyra e kryetarit Haliti, në një reagim ndaj Bislimit, ka thënë se ajo ka shpërfaqur identitetin e vet pa dinjitet, pa humanitet dhe pandjenja për njerëzit në nevojë.

Në kushte normale, Bislimi ish dashur ta falënderojë kryetarin Haliti dhe shoqatat humanitare e sidomos shoqatën “Vitia” në Gjenevë, e cila në koordinim me institucionet komunale ka ndihmuar njerëzit në nevojë, thuhet në reagimin e zyrës së kryetarit Haliti.

Bashkatdhetarët tanë janë kontribuues të pandërprerë edhe në ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë.

Ja kujtojmë zonjës Bislimi se bashkatdhetarët ishin ata që financuan sistemin paralel të shtetit të Kosovës, financuan luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, edhe sot po ndihmojnë pandërprerë në zhvillimin e shtetit.

Para disa ditëve janë shpërndarë 250 pako ndihma, sipas listave që i kanë bërë Këshillat e fshatrave në koordinim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Falë koordinimit të mirë të kryetarit Haliti dhe bashkatdhetarëve tanë, Vitisë së lënë dikur pas dore, sot i lakmojnë të gjitha komunat e Kosovës.

Këto suksese u pengojnë vetëm atyre që u përzunë para 21 vite dhe njerëzve të cilët kurrë asgjë nuk kanë bërë për komunën tonë, thuhet në këtë reagim, i cili përmbyllet me kërkesën që zonja Bislimi të kthjellohet, ose të kërkojë falje, nëse shkrimi pasqyron mendimin e tjetërkujt

Çka në të vërtetë kishte thënë këshilltarja komunale e VV-së, Liridona Bislimi?

Në mungesë të një perspektive me vende pune për qytetarët e veçanërisht për të rinjtë e Vitisë, për të përmirësuar gjendjen socio-ekonomike të tyre, Sokol Haliti reklamohet me ndihmat humanitare që mërgimtarët tanë sjellin për njerëzit skamnorë.

Ai, përmes ekspozimeve të tilla mediale, po keqpërdor jo vetëm mërgimtarët vullnetmirë, por edhe prindër e të rinj skamnorë, që i detyron të ekspozohen para kamerave, duke luajtur me dinjitetin e tyre dhe familjeve të tyre.

Bislimi ka kërkuar nga kryetari Sokol Haliti që të ndalë këtë praktikë dhe të punojë për vende të reja pune, për investime, për shëndetësi dhe arsim më cilësor./Mediafokus/