Zyrtare: Demokratët e zgjedhin Harrisin kandidate për presidente

Kamala Harris, e bija e emigrantëve që u ngrit shkallëve politike të Kalifornisë dhe të sistemit amerikan të drejtësisë, duke u bërë edhe gruaja e parë zëvendëspresidente e SHBA-së, ka siguruar edhe zyrtarisht mbështetjen e demokratëve për kandidate për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Ajo është bërë gruaja e parë me ngjyrë që merr mbështetjen partiake për garën presidenciale amerikane, raporton agjencia amerikane e lajmeve, AP.

Më shumë se katër vjet pas përpjekjes së saj të dështuar për garim presidencial, kurorëzimi i Harrisit si kandidate partiake vjen në një kohë të trazuar në mesin e demokratëve që rezultoi me tërheqjen e presidentit Joe Biden nga gara e rizgjedhjes pas debatit katastrofal që ngjalli polemika nëse ai do të duhej të vazhdonte garën.

Dhe menjëherë pasi Biden i dha fund garës, Harrisi dhe ekipi i saj punuan fort për të siguruar mbështetjen e 1,976 delegatëve partiakë për të zyrtarizuar nominim në votimin që zyrtarisht ka përfunduar të hënën mbrëma sipas kohës lokale amerikane.

Dhe sipas një sondazhi të kryer nga AP-ja me delegatët demokratë, Harrisi ia kishte dalë ta siguronte përkrahjen e shumicës së përfaqësuesve partiakë ende pa kaluar 32 orë prej momentin të tërheqjes së papritur të Bidenit nga gara për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë edhe për një mandat.