100 euro për pensionistët – Kastrati: Kjo shumë nuk mbulon asnjë shpenzim
Pensionistët në Kosovë kanë përfituar shtesat prej 100 euro të ndara nga Qeveria, por përfaqësuesit e tyre vlerësojnë se kjo shumë nuk i përgjigjet nevojave reale të kësaj kategorie.
Sekretari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati, tha se nuk kanë vërejtur ankesa nga pensionistët për mosmarrjen e shtesës, pasi sipas tij, pagesat janë realizuar.
Megjithatë, ai kritikoi shumën e ndarë, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme.
Kastrati tha se 100 eurot e ndara për pensionistët janë “më shumë bullizim sesa shtesë”, pasi sipas tij nuk mbulojnë asnjë nga shpenzimet me të cilat përballen pensionistët.
‘’Pensionistët i kanë marrë shtesat prej 100 eurove nuk kam vërejtur ndonjë ankesë që si kanë marrë, i kanë marrë po 100 euro janë simbolikë dhe asgjë tjetër më tepër bullizim sesa shtesë, nuk është e nivelit kjo nuk mbulon asnjë shpenzim’’, tha Kastrati për FrontOnline.
Kastrati tha se çdo mbështetje financiare është e mirëseardhur, por pensionistët nuk janë të kënaqur me këtë shumë, duke konsideruar se rritja e pensioneve është dashur të bëhej në përputhje me normën e inflacionit.
Sipas Kastratit, ligji parasheh indeksimin e pensioneve bazuar në inflacion, prandaj pensionistët do të duhej të përfitonin një shumë dukshëm më të lartë.
‘’Për pensionistë qoftë dhe një euro është e mirëseardhur mirëpo kurrgjë nuk mbulojnë këto 100 euro. Pensionistët nuk janë të kënaqur me 100 euro, është dashur të përcillet sipas ligjit, ligji parasheh indeksin e inflacionit, si ec inflacioni edhe pensioni që do të thotë është dashur për muaj më shumë se 200 euro e jo 100 euro sepse janë tepër, tepër pak’’, deklaroi Kastrati.

