18 % e punonjësve kosovarë nuk shtyjnë dot muajin me shpenzimet që kanë

Sot është 1 Maji, dita që shënon në mbarë botën Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një simbol i përpjekjeve historike për të drejtat në punë, kushte më të mira dhe dinjitet për punonjësit.

Kjo ditë lidhet me lëvizjet sindikale të shekullit XIX, veçanërisht me protestat për orarin 8-orësh të punës, dhe sot shërben si moment reflektimi mbi sfidat e tregut të punës, nga pagat dhe siguria në punë, te transformimet që po sjell ekonomia digjitale dhe automatizimi.

Për punonjësit shqiptarë nuk ka shumë për të festuar këtë ditë. Të dhënat nga një raport i fundit i Komisionit Europian për anketimin mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, që realizohet një herë në 5 vjet dhe u publikua në prill, gjetën se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi, ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, nga 8% që është mesatarja europiane.

Kjo përqindje është më e larta në Europë dhe ka shumë diferencë me shtetet e tjera.

Vendi i dytë pas nesh është Greqia, ku 21% e të anketuarve pohojnë se nuk shtyjnë dot fundin e muajit.

Në vendet e tjera të rajonit, situata paraqitet më e moderuar, por sërish mbi mesataren e Europës Perëndimore.

Në rajon, pas Shqipërisë, niveli më i lartë i vështirësive për të përballuar shpenzimet regjistrohet në Kosovë, me 18%. Bosnja dhe Hercegovina paraqitet gjithashtu me një nivel relativisht të lartë, prej 13%.

Në vendet e tjera të Ballkanit, treguesi është më i ulët. Serbia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë nga 9%, Kroacia 8%, ndërsa Mali i Zi ka nivelin më të ulët në rajon, me 7%.

Ndërsa Maqedonia e veritu dhe Mali i Zi përmenden në raport si shtete që kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, në Shqipëri përqindja e punonjësve që kanë vështirësi për të mbyllur muajin vijon të mbetet në nivele rekord.

Të anketuarve u kërkohet të vlerësojnë se sa e lehtë është për familjen e tyre të përballojë shpenzimet mujore, duke marrë parasysh të ardhurat totale mujore nga burime të ndryshme.

Vlerësimi bëhet në një shkallë me gjashtë nivele, nga “shumë lehtë” deri te “me shumë vështirësi”.

Në përgjithësi, 8% e të anketuarve në BE raportuan se në vitin 2024 e kishin të vështirë ose shumë të vështirë të përballonin shpenzimet.

Dallimet mes gjinive ishin të papërfillshme.

Në raport theksohet se sondazhi tregon diferenca të theksuara mes vendeve.