Alarm: Kosova po zbrazet, ekonomi në rënie dhe papunësi e lartë
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale ekonomike në vend, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka vlerësuar se raporti i fundit i Banka Botërore pasqyron një gjendje shqetësuese të ekonomisë së Kosovës, e cila sipas tyre nuk po shënon zhvillim të qëndrueshëm, por po funksionon në nivel mbijetese.
Sipas AKB-së, rritja ekonomike e parashikuar në nivelin 3.7%–3.9% mbetet e pamjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune, për të rritur pagat dhe për të ndalur trendin e emigrimit.
“Problemi nuk është mungesa e fuqisë punëtore, por mungesa e politikave serioze ekonomike. Emigrimi masiv dhe përjashtimi i grave nga tregu i punës po e dobësojnë ekonominë çdo ditë”.
Organizata thekson se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e fuqisë punëtore, por te mungesa e politikave serioze dhe afatgjata ekonomike.
“Kosova përballet me një paradoks të rrezikshëm: papunësi të lartë dhe njëkohësisht mungesë punëtorësh, si rezultat i një sistemi arsimor të shkëputur nga tregu i punës dhe kushteve jo konkurruese të punës,” thuhet në reagimin e AKB-së.
AKB kërkon ndërhyrje urgjente institucionale, me fokus në prodhim dhe eksport, reforma në sistemin arsimor dhe tregun e punës, si dhe masa konkrete për ndaljen e emigrimit dhe rritjen e mbështetjes për bizneset dhe pagat.
“Pa reforma të thella, Kosova do të vazhdojë të humbasë njerëz, konkurrueshmëri dhe perspektivë ekonomike”.
Raporti më i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor i publikuar gjatë ditës së djeshme jep një alarm të qartë për Kosovën dhe rajonin.
Në Kosovë, mijëra të rinj diplomojnë çdo vit, por shumë prej tyre nuk gjejnë punë në profesionin e tyre ose largohen jashtë vendit menjëherë sapo u jepet mundësia.

