Ese: Metamorfoza e Demokracisë – Shteti në dritën e gjeopolitikës kritik

Dr. Elez Elezi

Mbrëmë mora pjesë në promovimin e librit të Prof. Dr. Sadri Ramabajës, Metamorfoza e Demokracisë – Shteti në dritën e gjeopolitikës kritike, një ngjarje që më mbushi me krenari dhe emocion.

Në sallën e librarisë “Dugagjini” pashë të mbledhur njerëz të politikës, kulturës dhe akademisë – deputetë nga Shqipëria, personalitete nga Maqedonia e Veriut – të gjithë të ardhur për të nderuar profesorin dhe veprën e tij.

Për mua, ky ishte një moment i veçantë, sepse dikur, kur isha i ri, një organizim i tillë as që mund të paramendohej.

Ndërsa dëgjoja diskutimet, zemra më bëhej mal. Folësit flisnin me pasion dhe me kompetencë, secili i afirmuar në fushën e vet, duke e vendosur librin në piedestal kulturor.

Mesazhi i veprës ishte i qartë: integrimi ndërshqiptar, një ide që i flet brezit të ri dhe që hap horizonte të reja.

Një nga folësit tha një fjali që më mbeti thellë në mendje: “Para se t’i bashkojmë tokat, duhet t’i bashkojmë kokat.”

Kjo fjali përmbledh thelbin e asaj që ndodhi atë mbrëmje. Për një orë e gjysmë, koha më dukej sikur fluturonte – si pesë minuta – sepse emocionet ishin të gjalla dhe fjalët të ngarkuara me kuptim.

Kur deputetja nga Shqipëria mori fjalën, emocionet më pushtuan aq shumë sa nuk munda të them atë që kisha menduar.

Lotët më mbushën sytë, dhe vendosa të hesht, duke e lënë zemrën të fliste në vend të fjalëve.

Ky promovim nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore; ishte një dëshmi se bashkimi i kokave tashmë ka nisur.

Politika, kultura dhe shoqëria po takohen në një pikë të përbashkët, duke ndërtuar themelet e një federate shpirtërore shqiptare.

Dhe për mua, ky është hapi më i rëndësishëm drejt së ardhmes: para se të mendojmë për kufijtë, duhet të ndërtojmë ura mendimi, bashkëpunimi dhe vetëdije të përbashkët.