21 vjet nga paraqitja e UÇPMB-së: Shqiptarët dhanë shumë gjak për këtë pak liri që kanë sot
Para 21 vitesh, më 26 janar doli në skenë UÇPMB-ja, ushtria që mori përsipër realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Këtë përvjetor e kanë rikujtuar sot një ish-komandant (Sami Azemi) si dhe një deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë (Shaip Kamberi), ku përfaqësimi është rezultat edhe i kësaj lufte.
“Sot më 26 janar u bënë 21 vite nga dalja në skenë e UÇPMB-së. Pas vrasjes se vëllezërve Saqipi, një grup simbolik i ushtarëve vendosëm të rreshtohemi nën emblemën e UÇPMB-së.
Në këtë emblemë u rreshtuan bijtë dhe bijat më të mirë nga të gjithë trojet shqipëtare.
Kjo datë, 26 janari, do të mbes gjithmonë në mendjet tona, si një kujtim sa krenar aq edhe i hidhur. Do të përulemi gjithehere para dëshmorëve të kombit, çlirimtareve të vendit dhe invalideve te luftes qe dhane shume për këtë pak liri që ne sot po e gezojme.
Lavdi gjithe atyre që sakrifikuan dhe sakrifikojne për të mirën e çështjes tone kombetare”, ka thenë Sami Azemi, ish-komandant në UÇPMB.
Këtë datë të rëndësishme për shqiptarët në Luginën e Preshevës e ka rikujtuar edhe deputeti Shaip Kamberi.
“Dalja në skenë e UÇPMB-së ishte dalje në skenë e guximit e krenarisë, dëshirës për të jetuar të lirë e domosdoshmërisë për të avancuar e përmirësuar të drejtat e shqiptarëve të diskriminuar të Luginës së Preshevës.
UÇPMB-ja e cila në vete grumbulloi shumë djemë e vajza të guximshëm, përveç që mbrojti pragun e shtëpisë dhe ndaloi shtypjen e diskriminimin, ajo alarmoi edhe faktorin ndërkombëtarë e internacionalizoi çështjen e Luginës.
Kjo ditë padyshim shënon një ditë të rëndësishme në historinë e re të shqiptarëve gjithandej, ndërsa dëshmorët e rënë shënojnë kapituj të veçant të kësaj historie.
Prandaj, Lavdi Komandant Lleshit e të gjithë dëshmorëve të rënë. Lavdi Besim Faikut e vëllezërve Saqipi, që ranë dëshmorë në dy vite të ndryshme, por në të njejtën datë e për të njejtin qëllim”, ka thënë Kamberi. /Mediafokus.info

