25 vjet burgim për të akuzuarin E.Sh për rastin në Viti

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E. Sh., për veprën penale vr*sje e rëndë.

Më datë 08.09.2025 rreth orës 20.29, në sheshin “Bafti Haxhiu” në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti, i pandehuri E. Sh., në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. F., duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve M. A., dhe të miturit E. S., A. S. e V. G.

Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarit E. Sh. i shqipton dënim në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, krahas dënimit me burgim, i shqiptohet edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në
institucionin e kujdesit shëndetësor.

Gjithashtu ndaj të akuzuarit shqiptohet edhe dënimi plotësues – marrja e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh, e cila merret kur ky aktgjykim të merr formën e prerë derisa koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

Gjykata do të nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurit E. Sh., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, thuhet në njoftim.