Mikel Lumezi – furrtari hasjan që u bë ikonë e bukës në Ferizaj

Të gjithë ferizajasit e dinë, secili e ka përjetuar Furrën Mikeli, jo vetëm si një nga të zakonshmet furra në Ferizaj, por si një simbol identitar e humanizmi në këtë qytet, shkruan tasjanipress.

Nisur me pasionin e rrallë të Mikel Lumezit, që nga viti 1951, kjo furrë edhe në vitet më të errëta për shqiptarët, kur ky artikull mungonte, rrezatoi bardhësi, duke mos lënë të uritur radhën e gjatë të ferizajasve.

Mbi gjysmë shekulli shërbim, Furra Mikeli e trashëguar edhe sot nga familjarët e themeluesit të saj, është sinonim i shijes, korrektësisë, shërbimit të shpejtë e patjetër vlerë identitare e Ferizajt.

Njeriu i bukës, Mikel Lumezi që nga dritarja e vogël e furrës furnizoi për dekada një qytet me bukë, shumë shpesh falas për qytetarët, duke lënë pas vetes thënien lapidare 5 minutëshe të pritjes për pjekjen e bukës e natyrshëm edhe ndershmërinë që e karakterizoi, mbetet ndër ikonat më identitare e të çmueshme të Ferizajt.