50 aeroplanë me mërgimtarë aterojnë sot në Prishtinë

Mërgimtarët janë nisur drejt Kosovës me të gjitha mjetet e transportit. Përveç me automjete, shumë prej tyre kanë zgjedhur rrugët ajrore për të ardhur në vendlindje.

Vetëm sot në ANP pritet të aterojnë rreth 50 aeroplanë nga vende të ndryshme të botës, kryesisht nga Zvicra e Gjermania, ndërkoh që edhe 20 të tjerë planifikohet të vijnë deri nesër në ora 9:00.

Kompanitë kanë shtuar dukshëm linjat ajrore për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për të udhëtuar drejt Kosovës.

Pasi vitin e kaluar shumë mërgimtarë kishin hezituar të vijnë në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, këtë verë ata nuk po mendojnë dy herë për t’u nisur drejt vendlindjes për pushime.

Një mundësi për mërgimtarët, sidomos të rajonit të Prizrenit, tani është edhe aeroporti i Kukësit, që sot ka filluar punën zyrtarisht dhe ka pritur aeroplanin e parë nga Zvicra.