52-vjeçari që vdiq në vendin e punës është ish-futbollisti i Gjilanit, Vedat Ibrahimi
Vedat Ibrahimi, 52-vjeçar, tragjikisht ka humbur jetën në vendin e tij të punës, është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.
Sipas raportit të policisë, viktima mashkull kosovar derisa ishte duke punuar në vendin e tij të punës, është lënduar nga një mjet i metaltë dhe i njëjti pasi ka arritur në emergjencën e Gjilanit, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e tij.
Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti vazhdon të hetohet, është thënë në raportin e policisë.
Kryelajmi.com shkruan se viktima është Vedat Ibrahimi, ish-futbollist i ditëve të para të Gjilanit.
Ai kishte luajtur në ekipin e juniorëve, kurse gjatë viteve në okupim ishte pjesë e organizimit në futboll të vogël, duke luajtur për ekipet KF Kosova (Baleci).
Në vitin 1995, bëhet pjesë e Gjilanit, ekip me të cilin u shpall kampion në Grupin e Ferizajt.
Vedat Ibrahimi, që ishte një mesfushor i spikatur pas përfundimit të karrierës si futbollist ndër të tjera kishte punuar në një kompani ndërtimi dhe gjatë punës tragjikisht ka humbur jetën, vijon kryelajmi.com
Vedat Ibrahimi, pasditen e të mërkurës me nderime është varrosur në Varrezat e Qytetit në Gjilan.


