Kush po kërkon faljen e gjobave të pandemisë për qytetarët
Partia Socialdemokrate ka njoftuar se ka nisur një peticion për krijimin e një projektligji për faljen e gjobave ‘Covid-19’ të qytetarëve, për periudhën 14 mars 2020-15 maj 2021.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Dren Kukaj, ka deklaruar se lidhur me këtë projektligj është njoftuar edhe sekretaria e Kuvendit të Kosovës.
“Ne në kuadër të Ligjit për Nisma Legjislative, e kemi shqyrtuar mundësinë dhe e kemi njoftuar zyrtarisht sekretarinë e Kuvendit që e kemi përpiluar një projektligj që e kemi titulluar Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19”, ka thënë Kukaj.
Kukaj deklaroi se nga ky Ligj parashihet të përfitojnë qytetarët dhe bizneset e mesme dhe të vogla.
“Përfitues të këtij Ligji janë të gjithë qytetarët e Kosovës ndaj të cilëve janë shqiptuar masa në kuadër të ligeve ekzistuese për menaxhimin e pandemisë, personat juridik, përkatësisht bizneset e mesme dhe të vogla, ndonëse i kemi përjashtuar nga aplikimi i këtij Ligji partisë politke të cilat kanë marrë masa gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Kukaj.
Ai tha se PSD ka për synim mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, për ta vendosur në rend dite në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj.

