Ky është mësimdhënësi që bashkëjeton me numra prej 43 vitesh

Ditëlindja e 64-t ishte shkas për një shkrim portret për mësimdhënësin e matematikës, Mejdi Kqiku, me të cilin jemi njohur para 40 viteve, sapo kishte diplomuar në Universitetin e Prishtinës, dega e Matematikës.

Mejdiu kishte ardhur si një nga kuadrat e gjeneratës së viteve të 80-ta, i cili, prej atëherë ishte punësuar në Gjimnazin “Z. Hajdini”, në Gjilan, drejtimi i sapo hapur matematikë-teknikë, mësimdhënës i Gjeometrisë.

Mejdi Kqiku është lindur më 21 tetor të vitit 1956 në Velegllavë, komuna e Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në Velekincë, ndërsa shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Studimet i ka kryer në UP – dega për Matematikë.

Si drejtim deficitar i atyre viteve, Mejdiu, pasi kreu studimet ka filluar të punoi mësimdhënës i matematikës në shkollën e mesme “I. Ll. Ribar” (tash “Sami Frashëri”) në Prishtinë (1977-1981). Ndërkohë, pas një viti, prej viteve të 81-ta, mbi 20 vite, punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Pas atyre viteve pune në gjimnaz, rreth viteve 2000-ta, nga SHML, kur vitet e 9-ta, kaluan në Shkollimin e Mesëm të Ultë, gjegjësisht nga viti 2001, e deri më tash, kur po shënon 64-vjetorin e lindjes, punon në shkollën “Mulla Idris Gjilani” në fshatin e tij, ku edhe jeton, në Velekincë.

Mejdiu, këtu ka vazhduar me përkushtim punën dhe kontributin e tij. I ndihmon dhe përkrahë kolegët dhe nxënësit e tij në mirëvajtjen e procesit mësimor dhe suksesin e tyre në gara kombëtare, ku kanë marrë çmime e lavdata.

Është i licencuar sipas standardeve të kurrikulit të ri, nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Unë për vete mund të them se ndihem krenar që e kam pasur mësimdhënës Mejdiun në gjimnaz, si gjenerata e parë aty, si edhe tash koleg, sikurse këtë respekt e kanë edhe ish-nxënësit e tij, kolegët dhe bashkë kohanikët. (N. Ramadani)