80 vjet më parë shkeli në Kosovë misioni i parë shkollor nga Shqipëria

Shkruan: Rexhep Rifati

Me pietet e nderim kujtojmë gjithë ata mësues e mësuese që punuan në Kosovë e trojet tjera shqiptare, duke shpërnadarë fanarin e diturisë kudo që arritën, përkundër sfidave të më të cilat u përballën.

Do theksuar se me vendimin e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, pikërisht sot 80 vjet, më 13 Korrik 1941, në Prizren arriti Misioni i parë shkollor në Kosovë, në krye me Ali Hashrovën, shoqëruar nga 70-80 arsimtarë, i cili në raportin e parë dërguar shtetit shqiptar shkruante se: “Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazëm sikur po u zbriste Perëndia nga qielltë”.

Sot në këtë përvjetor për ngjarje madhore për arsimin dhe popullin e Kosovës, nuk pati asnjë eveniment, me përjashtim të TV “Temës” në Ferizaj, ku pata një bisedë lidhur me këtë jubile të madh të pashënuar!

Sipas shënimeve që kam arritur të tuboj: Në një mbledhje të Ministrisë së Arsimit të asaj kohe u vendos të dërgohej një Mision Shkollor për të hapur kurse e shkolla shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë.

Në mbledhje, Ali Hashorva, që kishte mbaruar studimet në Firencë për filozofi – pedagogji, kërkoi të ishte anëtar i misionit. Ministria e pranoi kërkesën e tij dhe e caktoi kryetar të misionit, duke caktuar 70-80 arsimtarë të tjerë për t’iu bashkuar atij misioni, shumica kosovarë, që kishin studiuar në Shqipëri ose jashtë saj me bursë shqiptare.

Ja se si e përshkruan arritjen e këtij misioni, vet kryetari i parë i këtij Misioni Shkollor, Ali Hashrova:

“Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazëm sikur po u zbriste Perëndia nga qielltë”, – me këto fjalë fillon raporti i parë që kryetari i Misionit të Jashtëzakonshëm për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Kosovë, Ali Hashrova, i dërgonte shtetit shqiptar më 25. 07.1941.

“Na turreshin nga prapa si të dehur duke na pyetur: “Kur po na vjen Shqipnia, kur po na vijnë mësueset e Shqipnisë?” ose: “Kur po na vjen Albania?” e na luteshin që të mos i “mashtrojmë”, t`u thoshim të vërtetën…

Fryma shqiptare po buçet në të gjitha anët e Kosovës. Sundimi i rëndë serb jo vetëm nuk e ka përulur shqiptarësinë e krenarinë e këtij populli, por e ka forcuar ca më tepër. Burrat e mëdhenj e trimat legjendarë të luftërave të Skënderbeut, këtu i kemi të gjallë përpara syve, te hedhur nga shtati, të drejtë nga trupi, të lehtë në lëvizje.

Tirania serbe nuk ka mundur ta prek fort as gjuhën shqipe, e cila flitet kudo e bukur dhe e virgjër, sikur ka qenë folur që në kohët e para”.

Paraprakisht, përmes një vendimi, Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, datë 23 qershor 1941 i drejtohet Ali Hashrovës, ku ndër të tjera i bën me dije se anëtarë të këtij misioni që do të drejtohen nga Hashrova janë:
1. Jonuz Blakçori, profesor i Shkollës së Punës, Tiranë
2. Abdurrahim Buza, profesor në Liceun e Tiranës
3. Flora Pali, mësuese në Institutin Donika Kastrati
4. Shaban Arra, inspektor i Arsimit të Kosovës
5. Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës
6. Xhavit Nimani, mësues në qarkun e Kosovës
7. Fadil Haxhihoxha, mësues në qarkun e Kosovës.

Pas vitit 1947 qëndrimi për eliminimin e arsimit shqiptar ka qenë permanent. Që në qershorin e vitit 1948, Qeveria Jugosllave largoi e dëboi nga Kosova për në Shqipëri 714 mësues të ardhur nga Shqipëria në Kosovë, nga viti 1941 e më tutje.

Nga personeli i mësuesve të viteve 1941-1951, që shërbyen në Kosovë, u vranë ose u varën 25 mësues, nga të cilët dy lumjanë të Kukësit, u burgosën në kampet e internimit në Jugosllavi, por edhe në Shqipëri, 252 mësues e profesorë dhe 45 të tjerë që u dëbuan nga vendlindja për në Turqi, Greqi e deri në Australi.