700 biznese në Preshevë përfitojnë nga pakoja financiare e Komunës

Mbi 700 biznese të vogla e të mesme në Preshevë kanë përfituar ndihmë financiare nga Komuna e këtushme. 

“Sot, qeverisja jonë ka realizuar pagesën e ndihmës financiare për 729 ndërmarrje të vogla e të mesme të të Preshevës”, ka thënë Ardita Sinani, kryetare e Komunës.

Nga ky vendim, secili biznes përfiton një shumë prej 20.576 dinarë, nga buxheti publik, ndihmë kjo sado e vogël, por që mund të jetë domethënëse, duke qenë se ekonomia e vogël dhe e mesme është prekur më së shumti nga pandemia.

“Përkrahja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) ishte një nga zotimet e mia parazgjedhore në politika ekonomike. Ajo nuk do të mungojë edhe në të ardhmen, me stimuj tatimore, politika fiskale, programe të ndryshme subvencionimesh etj”, ka premtuar Sinani.