Refugjati kosovar që arriti t`i hapë dyert e Këshillit të Evropës

Para pesë vitesh u nda nga jetë në moshë të re Ilir Mustafa nga Gjilani, i cili njihet si refugjati kosovar i cili në Francë hyri si emigrant, po arriti t’i hap dyert e Këshillit të Evropës, shkruan Mediafokus.info

Sot atë e ka përkujtuar i biri, Armendi i cili po e ndjen shumë mungesën e babait.

‘Sot u bënë 5 vite pa ty babi! Çdo dite e më shumë po na mungon. Ke qenë dhe do te mbetesh përjetë heroi dhe krenaria jonë!’

Kosovari Ilir Mustafa ishte personazh i pazakontë për atë që ka bërë gjatë jetës së tij.

I tillë konsiderohet edhe në Francë, ku për refugjatin kosovar është bërë edhe një film dokumentar.

Në Francë, Iliri hyri si emigrant dhe më vonë arriti t`i hap edhe dyert e Këshillit të Evropës.

Së pari ai u bë i njohur duke refuzuar dëbimin nga ky shtet dhe më vonë për Diplomën Evropiane që i solli qytetit të tij, Gjilanit.

Në fillim të vitit 1996, Mustafa kërkohet nga policia serbe, për shkak të aktivitetit të tij politik e patriotik në Kosovë.

Për këtë arsye, ai vendosi të ik në Gjermani, ku kapet nga policia dhe kthehet në Francë, vendin nga kishte hyrë në territorin gjerman.

Autoritetet franceze vendosen ta depërtojnë në Kosovë Ilirin, por ai rezistoi fort kur mori vesh se rruga e tij do të kalonte nëpër Beograd.

E dinte se ishte i kërkuar nga policia serbe në Kosovë dhe do të arrestohej sapo të mbërrinte në Beograd.

Të njëjtën gjë e bëri edhe herën e dytë.

Me këto veprime, Iliri arriti të tërheq vëmendjen edhe të mediave vendëse dhe asociacioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të refugjatëve.

Kosovari e shfrytëzoi këtë rast dhe foli për të drejtat e shqiptarëve në atdheun e tij, ku ato po shkeleshin në mënyrë më të vrazhdë.

Gjykata vendosi ta dënojë me tre muaj burgim për hyrje ilegale në Francë, duke i shtuar dënimin plotësues për depërtim në Kosovë.

Duke mos u pajtuar me këtë vendim të gjyqit, Mustafa hyri në grevë urie, duke fituar përkrahjen e shoqatave humanitare.

U organizua edhe nënshkrimi i një peticioni për lirimin e tij nga burgu.

Pas një presioni të madh, atij iu kthye një përgjigje pozitive për qëndrim në Francë.

Bashkë me Zhan Iv Karlenin, Zhoel Erhartin, Stev Dyshenin dhe anëtarë të tjerë të MAN-it, nisën një aktivitet të përbashkët lobues për çështjen e Kosovës.

Më 1996, francezët erdhën në Kosovë dhe ndërmorën nismën për binjakëzimin e Lyterbahut me Gjilanin, ku është vendlindja e Mustafës.

U mbajtën edhe demonstrata në Francë, para Këshillit të Evropës, ku ndër të tjera u kërkua që Jugosllavia të përjashtohej nga Kampionati Botëror 1998 që po mbahej në Francë.

Autoritetet jugosllave reaguan duke i shpallur persona “non grata” francezët e Ilirit.

Rasti i Ilirit bëri që opinioni francez të interesohet më shumë për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Në Francë u shkruan dy libra për gjendjen në Kosovë, u mbajtën 93 konferenca dhe debate publike, u botuan mbi 100 artikuj nëpër gazeta, intervista në TV, radio emisione e dokumentare.

Hap pas hapi, i përkrahur edhe nga shoqatat franceze për të drejtat e njeriut dhe aktivistë të tjerë francezë, Iliri arriti t`i  hapë edhe dyert e Këshillit të Evropës.

Vdekja e parakohshme, më 3 prill 2017, e ndaloi  Ilirin në aktivitetet e tij lobuese, por ai ishte i lumtur që ëndrra e tij për një Kosovë të lirë, tashmë ishte realizuar.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, me propozimin e kryetarit Lutfi Haziri, e ka shpallë Ilir Mustafën “Qytetar Nderi”, pas vdekjes. /Mediafokus.info