‘Gjithmonë do jesh në mendjen tonë baba Sherif Malisheva’
Ramadan Maliqi nga Malisheva e Gjilanit ka rikujtuar sot babanë e tij, Sherifin, në 28-vjetorin e vdekjes.
“Gjithmonë do jesh në mendjen tonë baba Sherif Malisheva” – ka shkruar ai.
Sherifi ishte burgosur më 19.02.1945 në Gjilan, kurse në Ferizaj ishte dënuar në publik me 20 vjet burgim. Më 13.08.1945, me ankesë të prokurorit, dënohet me vdekje.
Më 2.12.1945, dënimi me vdekje i zëvendësohet me dënim burgu prej 20 vitesh.
Pas vendimit të plotfuqishëm e transferojnë në burgun e Pozharevacit, ku e merr lajmin e zi se vëllaun Agush Maliqi e kanë vrarë.
Pas këtij lajmi, më 13.08.1947 vendos të ik prej burgut të Pozharevacit dhe pas 31 ditësh rrugë në këmbë arrin të kthehet në shtëpinë e tij në Malishevë të Gjilanit.
Në shtëpi, Sherifi e kishte të përgatitur më herët bunkerin ku kanë qëndruar vëllezërit dhe ai. Në atë bunker, Sherifi ka qëndruar plot 3 vite në sezonën e dimrit.
Njëherësh, fati i tij ka qenë që të burgoset përnjëherë së bashku me 5 anëtarë të familjes dhe pas 65 vitesh vendimet e burgut gjenden në arkivin komunal në Gjilan.
Sherifi ishte burgosur bashkë me nënën Nazife Maliqi, gruan Nafije Maliqi, vajzat e vëllerëzve Hanumshahe Rasim Maliqi, Sofije Agush Maliqi dhe djalin 4-vjeçar Ramadan Sherif Maliqi.
Familja ishte mbajtur në burgun e Gjilanit plot 18 muaj.
Sherif Maliqi u nda nga jeta më 13.02.1995.
Si njeri i kësaj treve, tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe bashkimit kombëtar, për të cilat luftoi deri në frymën e fundit.
Mbesa e tij, Drita, një veprimtare e hershme politike, e pati fatin të jetë nënshkruese e pavarësisë së Kosovës. /Mediafokus.info

