Qytetarët e Gjilanit e komplimentojnë kryetarin Haziri për nderimin që po u bënë personaliteteve meritore të të gjitha periudhave

Qytetarët e Gjilanit e kanë komplimentuar kryetarin e komunës, Lutfi Haziri, për nderimin që u ka bërë dhe po u bënë në vazhdimësi personaliteteve të ndryshme, duke respektuar kësisoj kontributet e secilit në rrugëtimin tonë të gjatë deri te liria, pavarësia dhe shtet-ndërtimi, që është një epokë e madhe e përbërë nga shumë kapituj, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Sipas qytetarëve, epoka e madhe shqiptare është e mbushur me heroizma e flijime, me sakrifica e kontribute të ndryshme, pa të cilat nuk do të arrihej deri ta shteti i Kosovës.

Një nga personalitetet që u nderuan për 28 Nëntor – ditën e flamurit, ishte edhe Rexhep Hamiti. Atij iu dha mirënjohje nga kryetari i Komunës, me motivacion për kontributin e dhënë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave politike të shqiptarëve.

Komentet e qytetarëve për këtë vendim të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, kanë qenë të shumta dhe pozitive.

Ramadan Myrtaj ka thënë se kjo ishte një mirënjohje e qëlluar për kontributin që ka dhënë Rexhep Hamiti në shumë fusha të jetës.

‘Vizioni i tij, parimësia e tij dhe guximi i pashembullt i tij, ishte inspirim edhe për gjeneratat tona. Ndonëse në rrethana të rënda politike, që kishin pllakosur nënqiellin tonë asokohe, ai kurrë nuk u ndal dhe nuk u zmbraps për të kërkuar zgjerimin e lirive dhe të drejtave të shqiptareve-avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në Federatën Jugosllave”.

Më tutje, Myrtaj ka përgëzuar kryetarin Haziri, me këto fjalë: ‘Qofshi të respektuar, Ju kryetar, Lutfi Haziri, për nderimin që i keni bërë agës Rexhë, këtij personaliteti të denjë për respekt’.

Ymer Rudhani ka komentuar kësisoj: ‘Vendim i qëlluar për kontributin e Rexhep Hamitit, i cili, për veç tjerash, në diskutimet e tij në Parlamentin e Jugosllavisë, asokohe, haptas kërkonte të drejta për shqiptarët në Kosovë’.

Kurse Fadil Kadriu ka shkruar: ‘Respekti dhe mirënjohjet për të moshuarit, nga kryetari Haziri, janë një nder me vlera të mëdha. Nuk ka peshore që e mat respektin dhe vlerësimin ndaj të moshuarve’.

Ndërkaq, Sabri Bunjaku, pasi e ka komplimentuar kryetarin Haziri, në lidhje me meritat e Rexhep Hamitit, ka ka shkruar: ‘Rexhepi në atë kohë të vështirë ka qenë legjendë e shqiptarëve’./Mediafokus.info