Tre djem i dha për Kosovën – familja Hyseni simbol i sakrificës dhe krenarisë kombëtare
Sabedin Sherifi
Në historinë më të re të Kosovës, shumë familje shqiptare kanë dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Ndër to qëndron me dinjitet të veçantë familja Hyseni, e cila në luftën e fundit çlirimtare dha tre djem dëshmorë për lirinë e Kosovës.
Prindërit Hyseni dhe Fatime Hyseni i falën atdheut më të dashurit e tyre – tre bij që u rreshtuan në anën e lirisë, duke u bërë pjesë e rrugëtimit të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sakrifica e tyre është një dëshmi e gjallë e çmimit të lartë që u pagua për lirinë që sot gëzon vendi.
Ngjarjet e 15 prillit 1999 mbeten të gdhendura thellë në kujtesën e familjes dhe të gjithë banorëve të Malësisë së Zhegocit. Atë ditë, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër luftëtarëve të lirisë, të vendosur në këtë zonë strategjike.
Ishte një përballje e pabarabartë, por e mbushur me guxim, vendosmëri dhe dashuri për atdheun.
Arbioni, djali i Shaban Hysenit, sot arkitekt, atëherë vetëm tetë vjeç, kujton një nga momentet më të thella që i është ngulitur në mendje: “UÇK-ja po ushtron. Babi është me shokët duke ushtruar.”
Një fjali e thjeshtë fëmijërore, por që pasqyron realitetin e asaj kohe – ku lufta dhe shpresa për liri ndërthureshin në jetën e përditshme.
Nga ana tjetër, Mevlidja kujton me dhimbje të madhe rënien e bashkëshortit dhe dy kunetërve të saj – një humbje e rëndë që la një boshllëk të pazëvendësueshëm në familje.
Megjithatë, kjo dhimbje u shndërrua në krenari. Krenari për tre burra që ranë në rrugën e dëshmorëve, për një ideal më të madh se vetja – lirinë e Kosovës.
Sot, fëmijët e dëshmorëve Hyseni – Ramadanit, Shabanit dhe Ilmiut– janë dëshmia më e fortë se sakrifica nuk ka shkuar kot. Ata ndjekin ëndrrat e baballarëve të tyre, duke i shërbyer vendit me ndershmëri dhe përkushtim.
Mes tyre ka mjekë, ekonomistë, juristë, arkitektë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët po ndërtojnë të ardhmen e Kosovës mbi themelet e sakrificës.
15 prilli mbetet një ditë kujtese dhe nderimi. Në fushën e nderit, nga Vërbica e Zhegocit dhe e gjithë Malësia e Zhegocit, ranë shumë dëshmorë, duke u bërë pjesë e përjetshme e historisë së lirisë sonë.
Familja Hyseni nuk është vetëm një histori dhimbjeje – është një histori krenarie, që i jep kuptim fjalës atdhe. Sakrifica e tyre jeton në brezat që vijnë dhe në vetë lirinë që sot gëzojmë.

