Samantha Shkreli, Miss Amerika 2025, merr pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë
Shqiptarja Samantha Shkreli Sarelli, e njohur për sukseset e saj në skenën e bukurisë dhe humanizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar nga Amerika në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, transmeton albinfo.ch.
Ajo ka bërë të ditur praninë e saj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme.
“Mirënjohëse që ndodhem këtu në Tiranë për ditën 1 të Samitit të Diasporës Shqiptare të ftuar nga Kryeministri Edi Rama! Faleminderit shumë për ftesën, jam e nderuar që jam këtu!”, ka shkruar Sarelli.
Samantha Shkreli Sarelli është shpallur Miss Amerika 2025 vitin e kaluar, duke fituar titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, një arritje që e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes në botën e modës dhe bukurisë.
Ajo është gjithashtu e njohur edhe për titullin që mbante në vitin 2020, “Former Miss Connecticut Teen USA”, duke dëshmuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe ambicioz në karrierën e saj.
Me pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës, Samantha Shkreli Sarelli i bashkohet figurave të tjera të suksesshme të diasporës shqiptare, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

