Ligji për Sigurimet Shëndetësore rrezikon të mbetet vetëm në letër
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, teksa partitë opozitare kërkuan më shumë informacione nga Qeveria lidhur me pagesat dhe pakot që do të ofrohen.
Projektligji u miratua me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Shqyrtimi i dytë i projektligjit do të bëhet më 23 prill.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.
Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.
Pyetja se a presin të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe cilat do të jenë përfitimet dhe humbjet për qytetarët që deri tani nuk e kanë pasur këtë ligj, ka qenë tema e diskutimit për “Front Online” nga ish-ministrat e Shëndetësisë.
Ata kanë dhënë vlerësimet e tyre lidhur me rëndësinë e ligjit dhe ndikimin që ai mund të ketë në mbrojtjen financiare dhe qasjen në shërbimet shëndetësore.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani është shprehur se miratimi i serishëm i Ligjit për Sigurime Shëndetësore është një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për sukses.
“Miratimi i serishëm i këtij ligji nga Qeveria është një hap i rëndësishëm, por duhet theksuar se miratimi në vetvete nuk garanton zbatim të suksesshëm. Përvoja e deritanishme tregon se sfida kryesore nuk ka qenë mungesa e ligjit, por mungesa e përgatitjes institucionale për ta zbatuar atë”, deklaroi Agani.
Sipas Aganit, nëse nuk adresohen çështjet kyçe strukturore, ekziston rreziku që ligji të mbetet vetëm formal.
Agani paralajmëroi se pa këto reforma, ligji vështirë se do të sjellë ndryshime reale në sistemin shëndetësor.
“Nëse nuk adresohen qartë çështjet strukturore si funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, mekanizmat e mbledhjes së premiumeve, si dhe transformimi i ofruesve publikë të shërbimeve shëndetësore në subjekte të kontraktueshme dhe të përgjegjshme për performancën – atëherë rreziku është që ligji të mbetet më shumë një instrument formal sesa një reformë reale”, tha Agani.
Ish-ministri ka shpjeguar se cilat kanë qenë humbjet e qytetareve në mungesë të këtij ligji.
“Humbja kryesore e qytetarëve ka qenë mungesa e mbrojtjes financiare. Një pjesë e madhe e shpenzimeve për shëndetin në Kosovë, sipas studimit të fundit të prezentuar sot të Institutit të Europës Juglindore për Shëndet dhe Politika Sociale 38-40% mbulohet drejtpërdrejt nga qytetarët (pagesa ‘nga xhepi’. Ka munguar një sistem më i drejtë dhe më transparent i financimit, që do të siguronte qasje më të barabartë në shërbime cilësore”, ka thënë Agani.
Agani ka vlerësuar se zbatimi i plotë i Ligjit për Sigurime Shëndetësore mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët.
Ai tha se një nga efektet kryesore pritet të jetë ulja graduale e pagesave direkte nga xhepi dhe rritja e mbrojtjes financiare.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se Ligji për Sigurime Shëndetësore është miratuar për herë të parë nga Kuvendi në prill të vitit 2014.
Miratimin e serishëm të këtij ligji, Rrahmani e vlerësoi si sinjal pozitiv por po anashkalohet.
Sipas tij, disa ndryshime janë miratuar në dhjetor të vitit 2016 në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, por nuk kanë arritur të procedohen në Kuvend për shkak të zhvillimeve politike.
Ai ka vënë në dukje se kjo periudhë 12-vjeçare tregon se nga miratimi deri te implementimi i ligjit ka pasur shumë sfida.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta implementojë ligjin vetëm, pa mbështetjen e ministrive të tjera, bizneseve private dhe shoqërisë civile.
Ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka folur pas miratimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, duke thënë se bëhet fjalë për një draft të përgatitur vite më parë.
Dreshaj shprehet se bëhet fjalë për një ligj cilësor, nga i cili qytetarët pritet të përfitojnë.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për mungesë të vullnetit politik ndër vite për zbatimin e tij.
Ai paralajmëroi se edhe pas miratimit zbatimi i ligjit nuk do të jetë i menjëhershëm.
Sipas tij, priten vonesa dhe funksionalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shëndetësore nuk do të ndodhë në një afat të shkurtër.
Qeveria e Kosovës kishte miratuar për herë të parë këtë ligj në gusht të vitit 2014./Front Online

